Thirrje publike për komunat për pjesëmarrje në projektin "Fuqizimi i Këshillave Komunal - Faza 2"
June 21, 2022

Projekti “Fuqizimi i Këshillave Komunal – Faza 2” është i financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa e implementon dhe bashkë-financon Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Partnerë tjerë në realizimin e projektit, janë Ministria e Financave, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Shoqata e punëtorëve financiarë (AFO), UN Women, NALAS, organizatat e shoqërisë civile, si dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut.
Qëllimi kryesor i projektit është avancimi i mbështetjes së sistemit për zhvillimin e qeverisjes lokale, kryesisht duke forcuar këshillat komunal të cilat do të jenë në gjendje të përmbushin në mënyrë efektive rolet e tyre të caktuara të përfaqësimit, mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes komunale përmes përfshirjes së qytetarëve në mënyrë aktive.
Për më tepër, projekti synon edhe përmirësimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale, decentralizimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në bashkësitë lokale, duke përmirësuar politikat zhvillimore dhe kornizën ligjore për zhvillimin lokal dhe decentralizimin, digjitalizimin e shërbimeve komunale, rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në niveli lokal, si dhe luftën kundër korrupsionit.
Promovimi i parimeve të barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta për të gjithë, kohezionit social, mbrojtjes së mjedisit, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndër-komunal dhe ndër-sektorial janë pjesë e temave transversale të këtij projekti.
Komponentët kryesorë të projektit në realizimin e të cilëve komunat do të përfshihen si partnerë dhe shfrytëzues të projektit janë:
- Përmirësimi sistematik dhe i qëndrueshëm i punës së këshillave komunale dhe avancimi i sistemit të vetëqeverisjes lokale;
- Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve për demokraci të qëndrueshme lokale dhe përmirësimi i jetës së të gjithë qytetarëve (gra dhe burra);
- Përmirësimi i shërbimeve komunale përmes zbatimit të teknologjisë dhe inovacionit.
Gjatë kohëzgjatjes së projektit nga viti 2022 deri në vitin 2027, gjithsej 40 komuna do të përfshihen drejtpërdrejt në zbatimin e projektit. Komunat partnere do të zgjidhen përmes thirrjeve publike dhe në bazë të kritereve të paracaktuara për përzgjedhje (komuna urbane dhe rurale, numër i ndryshëm i banorëve, komuna nga rajone të ndryshme planore, komuna të udhëhequra nga pozita dhe opozita, etj.).
Kjo Thirrje për paraqitje të interesit për pjesëmarrje në projektin “Fuqizimi i Këshillave Komunal – Faza 2”, u dedikohet komunave që nuk kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në kuadër të fazës së parë të projektit në periudhën 2016-2021.
Në këtë thirrje, në bazë të kushteve të parashikuara dhe përmbushjes së kritereve për përzgjedhje, do të zgjidhen gjithsej 10 komuna të cilat do të përfshihen drejtpërdrejt në realizimin e aktiviteteve të projektit gjatë viteve 2022 dhe 2023. Me komunat e zgjedhura UNDP do të nënshkruajë Memorandum Bashkëpunimi, sipas të cilit përcaktohen aktivitetet dhe detyrimet e palëve të përfshira.
Kohëzgjatja e aktiviteteve me dhjetë komunat e reja të përzgjedhura është 15 muaj, dhe të njëjtat është planifikuar të fillojnë me implementim në Shtator, 2022 dhe të përfundojnë në Nëntor, 2023.
DOKUMENTE PËR APLIKIM
Dokumentet e nevojshme për aplikim mund t’i shkarkoni duke klikuar në linqet në vijim:
- Udhëzimet operative për aplikim
- Formulari i aplikimit për shprehje të interesit për pjesëmarrje
- Deklarata për angazhim
- Lista për shprehje të interesit të këshilltarëve komunal
Aplikimet duhet dorëzohen në mënyrë elektronike, me e-mail në adresën e mëposhtme të e-mailit: fisnik.shabani@undp.org .
Në mënyrë që aplikimet të kualifikohen për vlerësim, ato duhet të mbërrijnë në adresën e mësipërme të e-mailit jo më vonë se 21 korrik 2022 deri në orën 16:00.