Barazia gjinore në jetën politike përmes rritjes së kuotës së vetëdijes

Posted March 8, 2022

Autorë: Mirko Trajanovski, specialist për komunikim dhe Zaklina Gestakovska Aleksovska, specialiste për çështjet gjinore

Ky postim në blog është gjithashtu i disponueshëm në maqedonisht dhe në anglisht.

---
Shtator 2000. Në shtet janë duke u zhvilluar zgjedhjet e para lokale në shekullin e 21-të. Epilogu është si më poshtë: nga gjithsej 123 kryetarë të zgjedhur të komunave, vetëm tre përkatësisht 2.44 për qind janë gra.

Tetor 2021. Njëzet e një vjet dhe pesë cikle zgjedhore më vonë, qytetarët vendosnin se kush do të qeverisë me komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për katër vitet e ardhshme. Epilogu është 79 kryetarë komune dhe vetëm dy kryetare komune, përkatësisht 2.47% - përqindje pothuajse e barabartë me atë të para dy dekadave. Që të kemi një pasqyrë të plotë, do ta ndajmë edhe të dhënën se nga zgjedhjet e para për kryetar komune të mbajtura në vitin 1996 deri në ato të fundit të vitit 2021, si njeri i parë i komunave janë zgjedhur 642 burra dhe 18 gra [1].

Këto numra janë tregues empirik se përpjekjet e elitave politike për barazi gjinore dhe përfshirje të grave në proceset vendimmarrëse në nivel lokal janë anekdotike. Në nivel global, viti 2021 shënohet si viti në të cilin gratë arritën nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në pozita vendimtare në politikë, Maqedonia e Veriut bën pjesë në grupin e vendeve në të cilat pothuajse nuk ka lëvizje pozitive në dy dekadat fundit, gjë që reflektohet veçanërisht në pozitat e pushtetit ekzekutiv për të cilat nuk ekzistojnë kuota të përcaktuara ligjore për përfaqësimin gjinor. Në favor të këtij pohimi është edhe fakti se në përbërjen e re qeveritare të zgjedhur më 16 janar 2022 ka 17 burra dhe vetëm katër gra [2]. Megjithatë, duhet të jemi objektivë që as pasqyra globale nuk është optimiste. Statistikat botërore tregojnë se është e domosdoshme që të zhvillohen procese të mëdha dhe të sinqerta të reformave për të arritur barazinë gjinore në jetën politike.

Por, pse të presim që ndryshimet të ndodhin së pari në disa vende tjera? Pse të mos jemi udhëheqës dhe bartës të ndryshimeve kur bëhet fjalë për dhënien e mundësive të barabarta për gratë për të menaxhuar me zhvillimin lokal? Trendi nga zgjedhjet e fundit lokale duhet të ketë ndikim vetëdijesues, duke pasur parasysh faktin që në katër vitet e ardhshme do të ketë vetëm dy kryetare komune – Danella Arsovska, e cila udhëheq me Qytetin e Shkupit dhe Zhaklina Jovanovska e cila fitoi mandat të ri në Nagoriçanin e Vjetër. Ky numër i ulët nuk duhet të befasojë askënd, veçanërisht nëse kihet parasysh fakti se nga numri i përgjithshëm i kandidatëve për pozitën e kryetares së komunës vetëm 8.36% ishin gra. Kuptohet, kjo ndoshta është arsyeja kryesore, por jo edhe arsyeja e vetme për dallimin e madh gjinor. Futja e kuotës zgjedhore në lidhje me përfaqësimin gjinor të grave në listat e kandidatëve nuk zgjidh rrënjën e problemit i cili është shumë më i thellë. Është e domosdoshme që të bëhen reforma të brendshme partiake për të rritur demokratizim më të madh, si dhe rritja e vetëdijes për rëndësinë e barazisë gjinore në të gjitha subjektet politike në vend. Këtu, vlen të përmendet edhe fakti se listat e pavarura dhe partitë e vogla kishin një përqindje më të lartë të kandidateve femra për pozita të kryetares së komunës [3], por edhe gjasa më të vogla që të zgjidhen siç treguan rezultatet e zgjedhjeve.

"Fatkeqësisht, duhet të përsëris se në Republikën e Maqedonisë së Veriut kemi problem të madh nëse nisim nga numrat. Nga viti 2000 deri në vitin 2021 kemi rreth 2.4 përqind, pastaj 3.5 dhe 4.9 përqind, në vitin 2017 ka pasur 7.4 përqind dhe pastaj në vitin 2021 për të ardhur përsëri në 2.5 përqind gra kryetare komunash. Ky është një problem i cili, për mendimin tim, kërkon qasje dhe analizë profesionale për të parë pse po ndodh kjo. Pra, gjatë fushatave dhe aktiviteteve partiake, gratë mund të jenë flamurtarë, por kur duhet të ndahet pushteti atëherë vlerësohet se nuk duhet të jenë ato, por burrat." 
– Bujare Abazi, zëvendëskryetare e qytetit të Shkupit

Natyrisht, gjatë analizave të gjendjes duhet të merret parasysh konteksti shoqëror dhe social-ekonomik. Botimi Women Political Leaders: The Impact of Gender on Democracy,  i cili është bazuar në analiza të mbi 500 hulumtimeve për ndikimin e grave udhëheqëse në politikë dhe në jetën publike si pengesa më të mëdha për gratë për të arritur në pozitat udhëheqëse e thekson trininë: paratë, dhuna dhe normat kulturore. Pikërisht dhuna, para së gjithash në formë të kërcënimeve kibernetike, ofendimeve dhe nënçmimeve është një prej arsyeve kryesore për të cilën gratë janë të dekurajuar për të hyrë në "arenën politike".

"Jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen nuk do të ketë gra në pozita të larta udhëheqëse, veçanërisht jo kur ato janë funksione të zgjedhura udhëheqëse. Është shumë e thjeshtë atje ku keni mbrojtje nga kuota dhe është shumë e thjeshtë ku dikush do t'ju lejojë të jeni ministre ose dikush do t'ju vendosë në ndonjë listë për të qenë deputete, por atje ku do të duhet të luftoni vetë dhe të dilni në front për të treguar dhe dëshmuar se meritokracia duhet të jetë kushti bazë,  e jo përcaktimi politik ose sjellja e bindur ndaj udhëheqësit të një partie të caktuar politike, ne nuk do të kemi kurrë sukses në Maqedoni. Prandaj bëj apel që të marrim mbështetjen nga të gjithë ju për çdo grua e cila në këtë moment është objekt i sulmit, e cila në këtë moment degradohet vazhdimisht, dhe duhet të dimë të gjithë se kjo nuk do të ndryshojë derisa ju të gjithë nuk qëndroni përballë të gjithë atyre që përpiqen të degradojnë sepse tani në këtë moment te ne në Maqedoni konsiderohet se mund ta bëni atë, e të mos dënoheni." 
– Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit

“Nuk mbaj mend që cilado politikane ta dënojë publikisht partinë e saj nga e cila vjen, pra nuk është me rëndësi nga cila parti vjen, nëse partia e njëjtë ka sulmuar grua nga pala e kundërt.  Sinqerisht shoh vetëm disa broshura ku ne të gjithë aktrojmë se mbështesim dikë, por megjithatë gjithë kjo është kaq e zbehtë. Nëse nuk do të ishte e zbehtë tani, sigurisht që do të kishim ndonjë rregullore ligjore që të mos vazhdohet me sulme të tilla, që të mos kemi situatën në të cilën jemi sot, dhe kështu me siguri do të kemi numër më të madh të grave që duan të merren me politikë. Unë, si përvojë ime personale, duhet të them se çfarë ka ndodhur para zgjedhjeve, dhe në vitin 2017, edhe tani. Është shumë vështirë të gjesh gra që duan të jenë në listë, flas veçanërisht për listë të pavarur. Atëherë edhe njëra palë, edhe tjetra edhe pala e tretë kanë emërues të përbashkët për të degraduar dhe për të zhvlerësuar tërë idenë që e paraqet ajo grua. Është shumë i vështirë procesi për të arritur te gratë që kanë guxim. Nuk flasim nëse kemi gra të afta, po flasim për gra që duhet të jenë të inkurajuara.” 
– Gabriella Ilievska, kryetare e Këshillit të Komunës së Manastirit

Nga ana tjetër, kur flasim për normat kulturore, mendojmë para së gjithash për qasjen në kohë, vendimin e lirë për zgjedhje dhe mobilitetin e grave që të mund të angazhohen në jetën politike ose afariste. Si mbështetje e këtij pohimi është vlerësimi se gratë në vend kryejnë 72% të punës së papaguar në shtëpi dhe kujdesin për fëmijët gjë që ndikon dukshëm në mundësitë e tyre dhe kohën e mbetur për të kryer punë të paguara, zhvillim të karrierës ose pjesëmarrje më të madhe në jetën publike, duke përfshirë politikën [4]. 

Natyrisht, kërkesa që gratë të kenë mundësi të barabarta me burrat në skenën politike nuk bazohet vetëm në ekuivalencën e thjeshtë matematikore, por më shumë në kontributin real që ato mund ta japin në krijimin e mjediseve më të mira dhe më inkluzive. Hulumtimi voluminoz global nga  Westminster  Foundation  for Democracy (WFD) tregon se gratë janë lidere më inkluzive dhe mund të kontribuojnë për avancimin e proceseve demokratike në shoqërinë [5].

Gjegjësisht, në të janë cekur konkluzionet në vijim: 

  • Sa më shumë gra janë në pozita politike, aq më pak është shkalla e korrupsionit dhe më e madhe është cilësia e shërbimeve publike;
  • Si politikëbërëse, gratë përfshijnë temat nga sfera sociale, sfera e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies së përgjithshme, duke kontribuar kështu për një shoqëri më të barabartë dhe një shoqëri që kujdeset për të gjithë qytetarët;
  • Shtetet me udhëheqëse ka më pak gjasa të përfshihen në një konflikt ushtarak dhe në të është konstatuar respekt më i madh për të drejtat e njeriut.

Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) e mbështet udhëheqësinë e grave, veçanërisht në nivel lokal, përmes forcimit të kapaciteteve të këshillave komunale dhe Komisioneve për Mundësi të Barabarta ndërmjet Grave dhe Burrave. Komponenti për respektimin e parimeve të barazisë gjinore është i përfshirë në të gjitha projektet kushtuar vetëqeverisjeve lokale dhe UNDP-së dhe gjithmonë insiston në zbatimin e plotë të këtyre parimeve, sepse kjo është e  mënyra e vetme që barazia të mos mbetet vetëm një zotim deklarativ në letër. Një nga debatet qendrore në Konferencën vjetore për decentralizimin dhe qeverisjen lokale, që u mbajt në dhjetor 2021, ishte pikërisht mundësimi i  qasjes së barabartë të grave në organet vendimmarrëse të vetëqeverisjes lokale. Disa nga gratë që arritën të hyjnë në organet e pushtetit vendor në zgjedhjet në tetor të vitit 2021 dërguan mesazhe frymëzuese dhe i ndanë pengesat dhe sfidat me të cilat janë përballur dhe janë duke u përballur. 

“Një shoqëri nuk mund të zhvillohet me të vërtetë nëse gjysmën e popullsisë së saj e vë në hije. Kjo do të thotë se automatikisht gratë janë shumë pak të përfshira qoftë në pozita udhëheqëse, qoftë në jetën publike, qoftë në përfaqësimin ekonomik. Të tre këta përbërës bëjnë që gruaja të jetë në një pozitë të pabarabartë në familje dhe shoqëri. Barazinë ato e konsiderojnë kërcënim, kërkoj falje ndoshta dhe një pjesë e grave ashtu e shikon si kërcënim se ne hyjmë në një territor që i përket dikujt tjetër, që e ka planifikuar me vite:  "Tani këto erdhën për të na thënë ose për ta marrë këtë territor." Unë them se barazia gjinore nuk do të thotë ajo që ju thoni se marrim të drejtën e njërit dhe i japim tjetrit, por barazia gjinore është si të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë dhe pastaj meritokracia do të tregojë se kush ku mund të arrijë.” 
– 
Gabriela Ilievska, President of the Council of the Municipality of Bitola

Megjithatë, që të realizohet vizioni i znj. Arbresha Vlashi, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë shoqëror, përkushtim dhe përgjegjësi institucionale dhe natyrisht rritje të vetëdijes publike. Çfarë mund të ndihmojë në afat të shkurtër?

  1. Financimi dhe mbështetja egrave në pozita udhëheqëse në politikë.
  2. Kuotat - atje ku nuk janë, nuk janë as gratë.
  3. Investimi në ekonominë e kujdesit përkatësisht ndarjes së obligimeve shtëpiake të cilat kryesisht bien mbi barrën e grave.
  4. Sanksionimi i ashpër i gjuhës së urrejtjes për të ndryshuar normat kulturore
  5. Përfshirja maksimale e burrave.
  6. Portretizimi pozitiv i femrave udhëheqëse, sepse ata janë shembulli të cilin do ta ndjekin të rinjtë.

Imagjinoni një skenë të tillë: TV debat parazgjedhor, zgjedhjet lokale të vitit 2041, pesë kandidate dhe pesë kandidatë. Gazetarët pyesin kandidatët për kryetarë komunash: Si do të përballeni me balancimin e obligimeve familjare dhe obligimet që i bart posti i kryetares së komunës? Ndërsa pyetja për kandidatet është në vijim: Cila politikane ishte frymëzimi juaj në vitin 2022?

Barazia nuk është as kërcënim, as ëndërr e parealizueshme. Ajo është e realizueshme. Nuk do të ndodhë brenda natës, e as që do të publikohet me fishekzjarrë. Megjithatë, që të ndodhë kjo, është i domosdoshëm një angazhim afatgjat dhe i sinqertë i të gjithëve, edhe i burrave edhe i grave, për të shpejtuar procesin që është duke ardhur në mënyrë të pashmangshme. Për të mirën e të gjithëve.

---

Video deklaratat e shfrytëzuara në blogun janë nga debati me temë "Komunat me barazi gjinore" që u mbajt më 23.12.2021 në kuadër të Konferencës vjetore për decentralizim dhe qeverisje lokale UNDP.

[1] Numri i përgjithshëm i kryetareve të zgjedhura të komunave në periudhën 1996 - 2021 – Reaktor – hulumtim në aksion (reactor.org.mk)

[2] Përbërja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut | Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (vlada.mk)

[3] Zgjedhjet lokale 2021, vështrim në listat e kandidatëve për kryetar komune dhe bartësit e zgjedhur në aspektin gjinor  – Reaktor – hulumtim në aksion (reactor.org.mk)

[4] Gratë në kohën e KOVID-19: Vlera e punës së papaguar - Reaktor – hulumtim në aksion (reactor.org.mk)

[5] Women Political Leaders: The Impact of Gender on Democracy | Westminster Foundation for Democracy (wfd.org)