Dhjetë komuna të përfshira në fazën e dytë të Programit për Fuqizimin e këshillave komunale

September 7, 2022

 

Komuna e Aerodromit, Karposhit, Haraçinës, Negotinës, Shtipit, Prilepit, Kriva Pallankës, Bogovinës, Debërcës dhe Novo Sellës janë dhjetë komunat e para që do të përfshihen në fazën e dytë të programit "Fuqizimi i këshillave komunale" pasi u përzgjodhën përmes thirrjes publike për pjesëmarrje në të cilën aplikuan rreth 30 njësi të vetëqeverisjes lokale nga shteti.

Në 18 muajt e ardhshëm, rreth 150 këshilltarë nga këto komuna do të kenë mundësinë të marrin pjesë në Programin për zhvillimin e kapaciteteve të këshilltarëve komunalë i cili përfshin trajnime për gjithsej 11 tema që kanë të bëjnë me menaxhmentin financiar publik, planifikimin hapësinor dhe urban, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimin ndërkomunal, barazinë gjinore, mjedisin jetësor dhe ballafaqimin me krizat në nivel lokal.

Njëkohësisht, secila nga dhjetë komunat do të ketë mundësinë të shfrytëzojë grant në vlerë nga 40,000 deri në 60,000 dollarë për projektet që do të përzgjidhen përmes konsultimit të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes Forumeve në bashkësi. Projektet e financuara përmes programit do të kenë për qëllim përmirësimin e shërbimeve sociale për kategoritë më  vulnerabile të qytetarëve, ndërkaq duke i zgjidhur në mënyrë të barabartë nevojat e tyre pa dallim gjinie, etnie apo përkatësie tjetër.

Po ashtu, secila prej këtyre komunave do të marrë mbështetje financiare në shumë nga 10.000 deri në 12.000 dollarë të dedikuara për futjen e mjeteve inovative për përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në punën e këshillave komunale.

Deri në vitin 2027, programi do të përfshijë edhe 30 komuna tjera që do të përzgjidhen gjithashtu përmes tre thirrjeve të reja publike.

"Fuqizimi i këshillave komunale - Faza 2" është program me vlerë totale prej 6.6 milionë dollarë, i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, e të cilin e bashkëfinancon dhe e realizon Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me partnerët kombëtarë dhe lokalë.

Në fazën e parë të programit, që u realizua në periudhën 2016-2022, u përfshinë gjithsej 24 komuna. Përveç realizimit të suksesshëm dhe mbështetjes që e morën komunat, mjetet inovative për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të krijuara në kuadër të programit fituan çmimin e tretë në nivel evropian në Samitin Global të Partneritetit për Qeverisje të Hapur të mbajtur në Seul, Republika e Koresë në dhjetor 2021.